Për Sali Berishën ndryshimi i trupës gjykuese në Gjykatën e Lartë për ish- deputetin demokrat Ervin Salianji është një skandal i paprecedentë, pas të cilit tha se qëndron Kryeministri Rama.
“Tregon tmerrin që kanë klani Xhafaj dhe klani Rama ndaj denoncimit të Ervin Salianjit. Nuk ka ndodhur kurrë, kjo ndodh vetëm në gjykatat e Edi Ramës, të Lukashenkos dhe të Teheranit.”
Edi Ramës i’a bëri sërish të qartë votën “kundër” për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nëse nuk pranohet kërkesa për të lejuar emigrantët që të votojnë me dokumenta biometrike të vendeve ku ata jetojnë, duke sjellë në vëmendje se i njëjti model ndiqet edhe në Kosovë.
“Merrni si shembull Kosovën!“
“Në mënyrë absolute nuk pranojmë asnjë ndryshim, nëse s’pranojne kërkesën unanime të emigrantëve që të njohin dokumentat e huaja biometrike. Krim kushtetues politik do konsiderohet çdo dhunim i Kodit Zgjedhor.”
Në konferencën e përjavshme me median, Berisha publikoi të tjera fakte që sipas tij rëndojnë mbi Kryebashkuan Veliaj dhe bashkëshorten e tij.
“Në kontrollin e fundit që i’u bë Velicës në kasafortën në garazh u gjetën 300 mijë euro dhe ai apartamenti top sekret i lalvjedhësit dhe Velicës mbi sky tower ishte në emër të Dabullëve, ata Dabullët janë krahu politik i “Hakmarrjes për Drejtësi.”
Berisha tha se pjesë e Primareve nuk do jetë asnjë drejtues i Partisë Demokratike në rrethe, nëse nuk jep dorëheqjen, teksa foli për tre variantet që do diskutohen lidhur me mënyrën sesi do të bëhet ky proces, duke përjashtuar çdo ndikim në Këshillin Kombëtar për drejtuesit e qarqeve.
“Ka tre variante që të jenë Primare dege, qarku dhe ka një propozim që të jenë kombëtare, do diskutohen dhe do vendoset varianti më i logjikshëm.”
“S’ka asnjë lloj orientimi nga unë, veç asaj në statut.”
Kreu i demokratëve sqaroi edhe arsyen e viztës së tij në Gjermani, pas marrjes së lejes nga SPAK.
“Në Gjermani jam i ftuar për të marrë pjesë si kryetar partie në kongresin elektoral të CDU-së”
Berisha tha se pjesë e axhendës jashtë vendit do jenë edhe takimet me diasporën.
Tv Klan