Këtë fundjavë, lajmi se një çamçakëz i dyshuar si substancë narkotike që qarkullonte në shkolla dhe përgjumte fëmijët, ishte mjaft shqetësues. Uniformat blu ushtruan kontrolle në një shkollë në Yzberisht dhe nga analiza toksikologjike rezultoi se ishte thjesht vitaminë E.
Toksikologia Sonila Tivari, e ftuar në “Opinion” në Tv Klan tha se pas këtij lajmi qëndron fenomeni shqetësues i qarkullimit të lëndëve narkotike në shkolla. Tivari tha se sipas referimeve të të rinjve, konsumimi i kanabisit nis në mosha të hershme që 10 vjeç.
Së fundmi, është në rritje konsumimi i kokainës që nis te moshat 15 vjeç, në doza të konsiderueshme.
Sonila Tivari: Më shumë problematike është realisht situata dhe fenomeni që qëndron pas këtij lajmi.
Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?
Sonila Tivari: Sepse me të vërtetë ky lajm rezulton që është ‘fake news’ për sa i përket pjesës kryesore të paktën nga nformacionet që kemi deri më tani. Por fenomeni mbrapa është më shqetësues, abuzimi i drogërave te grupmoshat e adoleshentëve apo edhe të fmëijëve.
Blendi Fevziu: A qarkullojnë lëndë me përbërje toksike tek adoleshentët dhe kush është mosha më e vogël që ju keni konstatuar deri tani?
Sonila Tivari: Ne si toksikologë normalisht trajtojmë pacientë mbi moshën 16 vjeç deri 18 vjeç, por referimet e pacientëve janë që konsumimi ka nisur që në moshën 10 vjeç, 11 vjeç.
Blendi Fevziu: 10 vjeç, 11 vjeç? Lëndë toksike?
Sonila Tivari: Lëndë toksike, narkotike si hashashi, po flasim kryesisht për substanca që janë lehtë të gjendshme si kanabisi që është substanca e parë që abuzohet që në moshën 10 vjeç, 12 vjeç.
Blendi Fevziu: A ka substanca veç hashashit që është i njihur që një prind mund ta identifikojë menjëherë edhe nga era, a a substanca që një prind nuk reagon dot? Për shembull kjo ka alarmuar një prind, më pas një komunitet prindërish, më pas policinë….
Sonila Tivari: Unë gëzohem që janë alarmuar.
Blendi Fevziu: A ka raste që këto mund të ndodhin pa i vëzhguar prindërit?
Sonila Tivari: Shumica e fenomeneve ndodh në heshtje, pa vëzhgimin e prindërve. Konsumimi i kanabisit ndodh në shoqëri, konsumimi i gamabutiloraktoneve, janë përsëri substanca që nuk kanë ndonjë shenjë…
Blendi Fevziu: Kush janë substancat të cilat kryesojnë më së shumti të rinjtë sot?
Sonila Tivari: Kanabisi është substanca kryesore që abuzohet, por po shohim një trend në rritje të kokainës, edhe në mosha shumë të vogla.
Blendi Fevziu: Çfarë moshe?
Sonila Tivari: 15 vjeç.
Blendi Fevziu: 15 vjeç kokainë?
Sonila Tivari: Kokainë, në doza goxha serioze dhe në komplikacione fizike.
Blendi Fevziu: Në çfarë mase po shtohet, sa alarmues është?
Sonila Tivari: Të paktën 5 vitet e fundit po shohim që substanca e parë për të cilën vijnë për t’u konsultuar të rinjtë por edhe adoleshentët, pas kanabisit është kokaina dhe trendi i kokainës është në rritje.
Tivari këshillon prindërit që të qëndrojnë sa më parë fëmijëve të tyre. Sa u përket shenjave që ngrenë alarmin janë ulja e dëshirës për të shkuar në shkollë, performanca e ulët, izolimi, mërzitja dhe luhatjet e mëdha të humorit që u tregojnë prindërve se diçka nuk shkon me fëmijën./tvklan.al