“Ndërhyrje e menjëhershme me Komisionin e Venecias”, është kjo gjëja e parë që Sali Berisha do të bëjë me Reformën në Drejtësi në rast se fiton zgjedhjet 2025. Sonte në studion e “Opinion”, përballë gazetarit Blendi Fevziu, kryetari i Partisë Demokratike tha se qeveria Rama nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e këtij institucioni.
“Komisioni i Venecias është institucioni perëndimor i Këshillit të Europës, e vërteta është plotësisht i besueshëm nga SHBA që ka eksperiencën më të madhe se çdo institucion tjetër në reformat ligjore e kushtetuese. Në këtë reformë, këta e përjashtuan Komisionin e Venecias, ne e përfshimë. Rama rekomandimet nuk arriti t’i saldojë në Kushtetutë, i futi një nga një në ligjet organike. Qytetarit shqiptar i duhet të presë për një proces civil 14 vite, për një penal 10 vite, i duhet të paguajë ryshfete 4 ose 5-fish sa më parë.”
Prokurorinë e Posaçme e konsideron “organizatë të vërtetë kriminale”.
“Ka një prokurori po aq politike sa ajo e Enver Hoxhës. Për SPAK-un, për shkak të politizimit është sot dhe u them shqiptarëve dhe mund t’ua faktoj një organizatë e vërtetë kriminale.”
Po çfarë mendon për dekorimin e kreut të SPAK, Altin Dumani në SHBA, Kampion i Antikorrupsionit?
“Kjo është qesharake! Jo në Shqipëri, por në Shtetet e Bashkuara nuk mund të mohohet se demokracia ka bërë hapa mbrapa gjatë administratës së Biden. Ai që e dekoroi Dumanin, jam i sigurt që do dekoronte me kënaqësi edhe Jack Smith-in.”
“Do të përballen me ligjet e vendit për të gjitha pazaret që kanë bërë me kriminelë!”, është ky paralajmërimi i Berishës për prokurorët e SPAK nëse rizgjidhet kryeministër i vendit.
/tvklan.al